
Ervis Behari

Ervis Behari lindi më 31 Korrik 1993 në fshatin Kraps të rrethit të Fierit, të krahinës së Mallakastrës, një zonë e njohur për traditat e saj muzikore dhe folklorike.
U rrit në një familje tradicionale shqiptare, jo vetëm dashamirëse po dhe interpretuese e këngës popullore. Gjyshi, babai dhe nëna e tij, e cila ka qene nxitësja kryesore për t’u marre me muzikë, i ushqyen pasionin për muzikën, që jo vetëm e shoqëron por është dhe kuptimi i jetës.
Që i vogël, Ervisi filloi të mësonte instrumentin e tastjerës, një dhuratë nga dajo i tij për të ushqyer dashurinë që kishte për muzikën. Shpejt u bë i njohur për talentin e tij të jashtëzakonshëm për të kënduar.
Shkollimi i tij eci paralel me ushtrimin e këndimit në ambjente dhe gëzime familjare, deri në mbarimin e shkollës së mesme.
Bashkëjetesa e muzikës me shkollën vazhdoi edhe në universitet ku Ervisi u diplomua për Inxhinieri Kimike, nje synim për të kompletuar figurën e tij, jo vetëm si Artist.
Karriera profesioniste si këngëtar starton në vitin 2015 me interpretime live si dhe me nxjerrjen e klipit të parë të këngës me titull
"Këngët e Vendit Tim", më 24 korrik 2015.
Më pas kanë ardhur një sërë hitesh, ku secili prej tyre trajton jo thjesht muzikë popullore me vlera, por tematika që kanë lidhje me familjen, jetën e përditshme dhe evenimentet e rëndësishme të familjeve shqiptare.
"Lind për të kënduar, jeto për të perfomuar"

Një këngë e veçantë, e cila shquhet për tekstin e ndjerë dhe emocionin që përçon sa herë që interpretohet është kënga me titullin "Nënë".
Një këngë, jo vetëm dedikuar nënës së tij por gjithë nënave. Kënga është një homazh unik për nënën e Ervisit, e cila u nda nga jeta ditën e xhirimit të klipit dhe për çdo nënë dhe fëmijë.
Një Hit i kuruar në çdo detaj me ndjenjë dhe profesionalizëm nga i madhi Adrian Hila, hit i cili ngurtësoi bashkëpunimin e pandarë dhe që ka garantuar një karrierë të suksesshme të këngetarit.
Kjo është arsyeja, që kënga “Nënë” është kënga hapëse e çdo aktiviteti të këngëtarit. Një detyrim jo vetëm për nënën e tij, por dhe respekt për të gjitha nënat!
Krahas axhendës së ngjeshur me koncerte live, aktivitete private dhe pjesëmarrje në evente të mëdha muzikore ndër vite si, Maratona “Këngë Moj”, etj, Ervisi ka nxjerrë njëra pas tjetrës një sërë këngësh dhe klipesh hit, ku çertifikimin si një ndër këngëtarët më të mirë të muzikës popullore ndonëse vetëm 24 vjec, ja dha kënga me titullin “Dajo”. Hit i padiskutueshëm dhe pjesë e pothuajse çdo gëzimi familjar!
"Kshu më mërzit mua"

Karriera e suksesshme vazhdon duke kulmuar me këngën më të fundit me titull “Kshu më mërzit mua”, e cila u bë Hit i padiskutueshëm i Verës 2024!
Me kompozimin e Adrian Hilës, tekstin e Adrian Hilës dhe Romir Llanaj, si dhe videoklipin e realizuar nga AR Visual, realizuesi i klipeve hit të kengëtarit, kjo këngë arriti që në muajin e parë mbi 12 Milion VIEWS në YouTube.